image Limaj: Ushtarët e UÇK-së s’janë kriminelë, Daçiq shpërfaq logjikën e krimit të Serbisë

Kosovë

Limaj: Ushtarët e UÇK-së s’janë kriminelë, Daçiq shpërfaq logjikën e krimit të Serbisë

news image

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka komentuar deklarimet e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, rreth varrezave masive dhe fyerjeve të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, ndaj shqiptarëve.

Ai ka thënë se lufta dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë qenë kriminelë por, sipas tij, janë pikërisht serbët ata që kanë kryer krime dhe masakra të tmerrshme ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

“Ivica Daçiq është ai që ka qenë gjithë. Ai shpërfaq logjikën kriminale të Serbisë”, ka thënë Limaj në tv Dukagjini.

Daçiq, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme në Serbi, u nervozua në një emision televiziv me serbët që, sipas tij, po tregojnë se ku janë varret masive të shqiptarëve në Serbi.

“Mos u merrni me amerikanët, gjermanët, turqit dhe gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë me serbët të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, ka thënë Daçiq për një televizion në Serbi.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, kur është pyetur lidhur me deklaratat e Daçiq, ka thënë se “BE nuk i komenton deklaratat e politikanëve, por ditëve të fundit kanë vërejtur se disa deklarata që nuk shkojnë në drejtim të rritjes së mirëbesimit dhe pajtimit mes popujve të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Qeveria e Kosovës i ka cilësuar skandaloze deklaratat e zyrtarëve serbë duke shtuar se këto deklarata dëshmojnë se Beogradi zyrtar qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm.

Ministrja e Jashtme Meliza Haradinaj – Stublla, u ka nisur letër ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, duke kërkuar që të dënojnë deklaratat e ministrave serbë.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pyetur në Twitter presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nëse gjuha raciste e Vulinit ishte përdorur njëmend në komunikatën zyrtare të shtetit./Gazeta Sinjali/