Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka treguar se si kishte refuzuar të ia zgjaste dorën Sllobodan Millosheviqit, derisa të dytë po gjykoheshin në Gjykatën e Hagës, transmeton Gazeta Sinjali.
Ai ka thënë se pasi i kishin përfunduar vizitat familjare ishin takuar në ashensor dhe se Millosheviqi kishte provuar t’ia zgjasë dorën, por ai kishte refuzuar një përshëndetje të tillë.
“Jam takuar në Hagë me Millosheviqin dhe gjithë strukturën më të lartë shtetërore. Jemi takuar disa herë. Njiheshim, por me Millosheviqin gjatë krejt asaj kohe veç një herë kam komunikuar”, tha Limaj.
Ndërkohë, ai tregon se pas vizitave familjare ishte i vetëm me të dhe i kishte thënë se arsyeja se pse ishin në Hagë është vetë ai.
“Kemi qenë në vizita familjare dytë dhe në ashensor kemi hyrë për t’u ngjitur në dhoma pasi kemi kryer vizitat familjare. Vetëm ne të dy në ashensor dhe po don me ma zgjatë dorën më u përshëndet dhe po më pyet si kalove në vizitë. Po më vjen keq, por s’mund të flas me ty. Tha pse, i thash ‘arsyeja pse jemi këtu, je ti. Ju e keni lehtë me kalu e me ardhë me ma zgjatë dorën, por unë s’mund ta bëj sepse ka shumë gjak mes neve dhe për atë gjakderdhje shkaktar je ti. Ka shumë dhimbje e gjak që ka shkaktuar politika juaj’”, ka treguar Limaj në një intervistë për Syri TV.
Tutje, kreu i Nismës thotë se ka komunikuar me të tjerët, por jo me Millosheviqin.
“Me të tjerët kam komunikuar. Kur e kam parë atë njeri më kanë dalë fytyrat e mijëra njerëzve dhe krejt asaj që ka ndodhë në vendin tonë prej 1987 dhe nuk kam mund ta kapërcej atë dhimbje të kombit dhe me ia zgjatë dorën dhe me u bë sikur nuk ka ndodhë asgjë”, ka theksuar Limaj./Gazeta Sinjali/