image Limaj tregon se si i shpëtoi një prite natën kur u vra Zahir Pajaziti

Kosovë

Limaj tregon se si i shpëtoi një prite natën kur u vra Zahir Pajaziti

news image

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, në 21- vjetorin e çlirimit të Malishevës, ka rrëfyer se si i kishte shpëtuar një prite e cili ishte organizuar për vrasjen e tij, natën kur u vra Zahir Pajaziti.

Limaj thotë se për organizimin e kësaj prite ishte informuar gjatë kohës sa ka qenë në Hagë.

“Më është organizuar një pritë, por duke falënderuar Zotin dhe nuk kemi rënë në pritë. Prita ka qenë e organizuar te Bytyqët e Arllatit më 31 janar, natën është vrarë Zahiri (Pajaziti), ka qenë rastësi se si kam shpëtuar, pra rastësisht kam shpëtuar atë natë. Unë këtë e kam mësuar në Hagë nga drejtuesit serb dhe një nga ai që kam mësuar është Stanishiqi i famshëm për të cilin flitet shumë”, ka thënë Limaj në televizion lokal të Malishevës.

Rënia e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut, sipas Limajt ka qenë goditje e madhe, por nuk janë ndalur dhe dalëngadalë kështu është zgjeruar UÇK-ja.

Ai ka thënë se UÇK-ja është kupola e përpjekjeve të sakrificës për lirinë e vendit dhe ai ka apeluar që me kujdes të mos i përziejnë pakënaqësitë ditore me veprat e mëdha historike.

Më tutje, Limaj ka folur edhe për rajonin e Llapushes duke thënë se kjo zonë ka qenë një lloj kryqëzimi i lëvizjeve të mëdha kombëtare. Llapushës, Limaj thotë se i janë bërë diskriminime nga sistemet e kaluara.

“Llapusha ka qenë strehë e të gjitha lëvizjeve kombëtare, e burrave dhe patriotëve të këtij kombi si Isa Boletini, dhe Sadik Rama i Gjurgjevikut…Llapusha nuk e ka marrë vendin e merituar për shkak të diskriminimit. Disa herë e kanë bërë Malishevën komunë, e disa herë e kanë prishë. Këtu ose mjeshtër ose bujk s’ke mujt tjetër sen. Qytetarët e Malishevës kanë qenë të privuar. Njerëzit e këtij rajoni janë burra të mirë e të urtë, por asnjëherë nuk kanë gezuar të drejtë që u ka takuar. Llapusha është në themelet e lirisë së Kosovës. Çdo qytetarë i Malishevës duhet të ndihet krenar. Shpi për shtëpi ka qenë pjesë e lirisë”, ka shtuar Limaj.

Gjatë luftës, Limaj ka thënë se Malisheva ka qenë magje e Drenicës dhe Dukagjinit dhe njerëzit tanë nuk kanë kursyer asgjë duke shtuar se përfshirja e Llapushës në luftë ka qenë masive./Gazeta Sinjali/