Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pasi qeveria serbe ka dhënë urdhër që të karantinohen komunat veriore të Kosovës.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Limaj ka thënë se ky veprim është cënim dhe shkelje e rëndë e sovranitetit të Kosovës.
Siç thotë ai, veriu dhe çdo pjesë e Kosovës mund të izolohen vetëm me vendim të institucioneve të vendit, nëse paraprakisht vlerësohet se është e nevojshme një gjë e tillë.
“Futja në karantinë e komunave veriore të vendit me vendim të qeverisë serbe është cenim dhe shkelje e rëndë e sovranitetit të Kosovës. Veriu dhe çdo pjesë e Kosovës mund të izolohet vetëm me vendim të institucioneve të vendit, nëse paraprakisht vlerësohet se është e nevojshme një gjë e tillë”, ka shkruar Limaj në Facebook.
Tutje, ai e ka vlerësuar si shqetësuese edhe heshtjen e kryeministrit në largim duke u sjellë sikur nuk ka ndodhë asgjë.
Me vendim të Serbisë, dy komunat e Kosovës, Mitrovica Veriore dhe Zveçani janë futur në karantinë si dhe rreth 200 qytetarë në 5 komuna të vendit janë detyruar të izolohen me urdhër nga Beogradi.
Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar ekspluzivisht për rastin në fjalë si dhe ka siguruar listat e Entit për Shëndetësi Publike të Serbisë dhe Stacionit Policor të Leposaviqit, të cilat përmbajnë emrat e personave që janë urdhëruar të vetizolohen. /GazetaSinjali/