Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se vendimet arbitare në fillim mund të duken simpatike dhe të duartrokitën, por kjo mënyrë e qeverisjes e rrënon rendin ligjor në vend.
Limaj përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook ka thënë se qeverisja përmes vendimeve arbitrare është metodë dhe logjikë e qeverive autoritare të cilat i urrejnë procedurat ligjore dhe respektimin e ligjit.
Sipas tij, Kosova është dëshmitare e një qeverie me njerëz të tillë që për ta ligji i shkruar ka kuptim vetëm nëse është në përputhje me objektivin e tyre politik.
“Çdo procedurë ligjore që nuk është në përputhje të interesit të tyre politik ata ose e injorojnë ose tentojnë ta interpretojnë siç u konvenon në atë moment. Të tillët krijojnë realitetin e tyre dhe atë realitet duan e punojnë t’ua imponojnë të gjithëve, sepse logjika e tyre është “ne jemi pronar të së vërtetës e së drejtës absolute”, ka shkruar ndër të tjera Limaj./GazetaSinjali/