Kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka përmbyllur fushatën zgjedhore sot në Prizren. Mirëpo Limaj harroi se dita e shtunë është ditë heshtjeje zgjedhore. Ai ftoi kundërkandidatët e tij për kryeministër, të dalin në debat për t’u ballafaquar para qytetarëve të Kosovës.
“Asnjëri nga ta nuk janë më të gatshëm se unë për t’a drejtuar vendin, qe një muaj i kam ftuar në debat, ejani të dalim para njerëzve të përgjigjemi, asnjëti nga ta nuk ka qenë i gatshëm me dalë në debat me u ballafaqua para qytetarëve të Kosovës. Ejani edhe sonte, edhe kurëdo, edhe nesër, jo nesër s’po bajka”, ka deklaruar Lima duke qeshur, pasi që iu kujtua se nesër do të jetë heshtje zgjedhore.
Gjatë fjalimit të tij, Limaj ka krahasuar vetën me kundërkandidatët e tij duke thënë se ata e kanë kopjuar gjatë fushatës.
“Pesë ditët e fundit kam dëgjuar kandidatët duke shaplour programin tonë, po flasin për pensione, për shtesa të fëmijeve, për reforma sociale megjithëse s’po dinë me i shpjegua por i kanë dëgjuar prej neve e hajt se po duhet me i thanë”, ka deklaruar Limaj.
Limaj me fillim të fjalimit kishte disa kërkesa për kandidatët për deputet nga rradhët e koalicionit NISMA-AKR-PD.
“Mos harroni ato që keni dëgjuar nga njerëzit anë e kënd Kosovës, mos harroni pritjet që kanë njerëzit nga ju, mos harroni bashkëbisedimin që e keni bërë me ta kur e keni kërkuar votën. Çdo ditë kur shkoni në Parlmentin e Kosovës, kur të dilni në foltore duhet të ju dalin përballë vota e qytetarit që ua ka dhënë besimin. Asnjëherë nuk do të gaboni nëse e keni parasysh këtë. Mos harroni qe ju pa qytetarin jeni kërkushi, se ka pasur deputetë që kanë harruar votën e qytetarit, madje kanë votuar në Parlament kundër vullnetit të qytetarit”, ka thënë Limaj.
Në përmbylljen e fushatës, sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka ndërprerë fjalimin e tij në Prizren.
Arsyeja e ndërprerjes së fjalimit ishte ezani që u dëgjua nga xhamia.
Mirëpo Sherifi nuk e vazhdoi fjalimin as pas përfundimit të ezanit.
“Pas përfundimit të ezanit, besoni unë nuk kam çka të shtoj më tej, ia kaloj fjalën kryetarit Limaj”, ka deklaruar Sherifi./Gazeta Sinjali/