Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka thënë se për transformimin e FSK-së në Ushtri, nuk mund t’i marrë meritat askush.
Ai ka thënë se, për të, proceset për formimin e Ushtrisë kanë përfunduar shumë më herët dhe se aty kanë qenë të përfshirë të gjitha partitë.
“Për mua ushtria e Kosovës është bërë në ’99-n, transformimi i UÇK-së në TMK është zemra, baza e ushtrisë së Kosovës dhe pastaj avancimi i saj është bërë në procesin e Vjenës”, ka thënë Limaj.
“Krejt këto procese janë kryer në 2007. Ka qenë e gjithë Kosova, Lidhja Demokratike, Aleanca, shoqëria civile, kemi qenë të gjithë. Nuk ka proces në këtë vend që dikush e ka kryer vetë. Nuk mund t’i marrë meritat as Hashimi, as Ramushi. Kjo është humbje kohe”.