Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është deklaruar pas takimit që ka pasur me partnerët e koalicionit qeverisës, kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj, shkruan Gazeta Sinjali.
Me këtë rast, Limaj tha se ky ishte takim i rregullt dhe se tema kryesore e këtij takimi ishte dialogu me Serbinë, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Washington.
“Patëm takime të rregullta si partnerë të koalicionit, ku analizohen tema të rëndësishme për vendin. Natyrisht tema kryesore e diskutimit ishte dialogu, sidomos tash pas marrëveshjes në Washington”, ka thënë Limaj para mediave, duke shtuar se Kosova duhet të jetë unike që procesi i dialogut të përmbyllet sa më shpejtë.
Limaj ka folur edhe për Liqenin e Ujmanit që ka qenë pjesë e marrëveshjes në Washington.
“Liqenin e Ujmanit është duke e menaxhuar Kosova, vendi ynë. Fizibiliteti është diçka tjetër. Ne kemi nevojë për fizibilitet të shumë ndërmarrjeve ekonomike”, u shpreh ai.
Ndërsa sa i përket raportimeve se kohëve të fundit ka pasur mospajtime mes partnerëve të koalicionit, Limaj tha se kjo nuk është e vërtetë, ndërsa shtoi se atyre u duhet bashkëpunim më i ngushtë dhe mbështetje më e fuqishme politike.
“Nuk ka mospajtime, ka nevojë për bashkëpunim më të ngushtë dhe mbështetje të fuqishme politike. Përkushtimi jonë është që të dalim sa më të përgatitur dhe sa më të fuqishëm në dialog. Kërkesa ime për kolegët e mi është që kur flasim për tema nacionale të bashkohemi pozitë dhe opozitë, sepse të gjithë do të përfitojmë nga marrëveshjet që nënshkruhen nga Kosova”, ka thënë ndër të tjera ai.
Ndërsa sa i përket kandidaturës së Haradinajt për president të vendit, kreu i Nismës tha se kjo nuk ishte temë diskutimi në këtë takim. /Gazeta Sinjali/