Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini, kanë prezantuar sot platformën e përbashkët dixhitale të arsimit parauniversitar të Kosovës dhe Shqipërisë.
Kjo platformë, tha ministrja Besa Shahini, është online dhe gjenden të gjitha videot e xhiruara nga mësimdhënësit në Kosovë e Shqipëri.
“Përveç videove që ekzistojnë, mund të zhvillohet edhe pjesa tjetër e mësimit që zhvillohet në Kosovë. E mira e kësaj është që të shohim leksionet në të dy vendet dhe metodologjinë e tyre. Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së arsimit të të dyja vendeve”, ka theksuar Shahini.
Ministri Ramë Likaj tha se marrëveshja e cila është përgatitur, është në kuadër të bashkëpunimit mes dy ministrave në Kosovë dhe Shqipëri
“Në kuadër të kësaj marrëveshje është platforma dixhitale që dhurohet falas nga ministria e Shqipërisë. Jemi para një sfide të gjithë, pra të organizimit të mësimit në kushte pandemie. Të gjithë jemi të sfiduar, por dhe kemi bërë përgatitjet e nevojshme”, është shprehur Likaj.
Ndonëse disa shkolla janë hapur në Shqipëri, ministrja Shahini, tha se viti i ri shkollor do të fillojë me datën 14 shtator.
“Jemi të vetëdijshëm që hapja e shkollave do të rrisë numrin e të infektuarve. Meqë është me interes kombëtar kthimi në banka shkollore, duhet të jemi të gatshëm të organizojmë mësimin në kushte shtëpie. Ta shfrytëzojmë këtë moment kaq të vështirë, për diçka të mirë për dixhitalizimin e mësimit. Kemi të domosdoshme dhe të nevojshme që nxënësit mos të mbesin prapa me mësime”, ka shtuar ajo. /Gazeta Sinjali/