Nuk mund të ketë shkëmbim joproporcional, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur është pyetur lidhur me kërkesën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Richard Grenell, që Beogradi të ndalë fushatën kundër njohjeve të Kosovës dhe që Prishtina ta heqë tarifën ndaj mallrave serbe.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, lideri i së cilës, Albin Kurti, është mandatuar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se sa i përket kërkesës së ambasadorit Grenell, ata ritheksojnë qëndrimin tashmë të ditur që taksën 100 për qind do ta zëvendësojnë me një reciprocitet të plotë në ekonomi, tregti dhe në planin politik, duke shtuar se reciprociteti zbatohet gjerësisht në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Vuçiq nuk e pranon barazimin midis taksës dhe fushatës kundër njohjeve
Sidoqoftë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ai nuk e pranon barazinë midis taksës dhe lobimit për tërheqjen e njohjeve.
“Ne kemi një qëndrim të ndryshëm me Amerikën dhe Prishtinën për njohjen e Kosovës. Ata duan që ajo pavarësi të njihet, ne nuk duam. Por, ne nuk jemi fajtorë për vendosjen e taksës. Ne nuk i vendosëm ato ndaj Prishtinës kur ajo shpalli pavarësinë më 2008”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se detyrë e Beogradit është t’i kundërshtojë përpjekjet e Prishtinës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.
Në Prishtinë nuk ka pasur ndonjë koment nga ana e zyrtarëve lidhur me kërkesën e ambasadorit Grenell.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, njëherësh mandatar për formimin e qeverisë së re të Kosovës, ka shkruar në Twitter se në takim me Grenellin kanë diskutuar për nevojën urgjente për t’u përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e mundësive të punësimit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, tha se me diplomatin amerikan kanë rënë dakord që zhvillimi ekonomik është mënyra më e mirë për të ecur përpara.
LDK-ja dhe VV-ja po tentojnë që të arrijnë një marrëveshjeje bashkëqeverisjeje, mirëpo deri më tash bisedimet ndërmjet tyre nuk kanë pasur sukses.
Në një intervistë për REL menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit në Kosovës, lideri i VV-së, Albin Kurti e kishte sqaruar se çfarë do të thotë reciprociteti i plotë me Serbinë.
“Ne jemi jo vetëm të gatshëm, por edhe të interesuar që tarifën 100 për qind, ta zëvendësojmë me reciprocitet të plotë me Serbinë në përputhje me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 7 dhjetor 2011. Serbia nuk mund të presë që ajo të sillet mbrapsht e keq me neve, e ne të mos e mbrojmë interesin tonë”.
“Edhe sa i përket dokumentacionit të mallrave, certifikatës së prodhimit të mallit, edhe sa i përket targave të automjeteve, qofshin për qarkullimin e udhëtarëve apo të mallrave, shpedicionit e kështu me radhë, qoftë sa i përket investimeve te njëri- tjetri, duhet ta përdorim parimin e reciprocitetit si garantues normal i bilateralizmit konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë”, kishte deklaruar Kurti.