image Liberalizimi i vizave: Gërvalla thotë s'pati kundërshtime e as kontestime

Politikë

Liberalizimi i vizave: Gërvalla thotë s’pati kundërshtime e as kontestime

news image

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e ka konsideruar hap të rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave diskutimin e Grupit Punues për Viza të Këshillit të BE-së që është mbajtur sot në Bruksel. Gërvalla ka thënë se kjo nuk ishte dita e vendimit, por e nisjes së fazës së fundit të këtij procesi.

Ajo ka thënë se në bazë të njoftimit të Presidencës çeke, diskutimi ishte pozitiv dhe përkrahës për këtë proces dhe është konfirmuar se Kosova i ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha kriteret për t’u bërë pjesë e zonës Schengen.

“Sot në Bruksel, procesi i liberalizimit të vizave shënoi një hap shumë të rëndësishëm përpara. Diskutimi i mbajtur në Grupin Punues për Viza të Këshillit të BE-së, siç njoftoi edhe Presidenca çeke, ishte shumë pozitiv dhe përkrahës. Para vendeve anëtare, Komisioni konfirmoi edhe një herë se Kosova i ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe rekomandimi pozitiv që Komisioni ka bërë qysh në vitin 2018 mbetet i vlefshëm”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas kryediplomates, Grupi për Viza ka mirëpritur përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht ka përkrahur vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave.

Ajo falënderoi Republikën Çeke, për siç ka thënë ajo, përkrahjen në procesin për heqjen e izolimit për kosovarët.

“Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt. Ne e mirëpresim vendosjen e çështjes së vizave në agjendë të Këshillit, për herë të parë në këtë formë. Po ashtu falënderojmë Kryesuesen e radhës të Këshillit, Republikën e Çekisë, për angazhimin që procesi të ecë përpara sa më parë. i jemi falendërues vendeve anëtare që shprehin përkrahje për procesin që do duhej përmbyllur me heqjen e barrikadave të izolimit për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar tutje ministrja.

Në fund, Gërvalla ka thënë se sot nuk ishte dita e vendimit, por e nisjes të fazës së fundit të këtij procesi.

“Siç e kemi thënë edhe më parë, sot nuk ishte dita e vendimit. Sot ishte dita e nisjes së fazës së fundit të këtij procesi, i cili  kohë të gjatë ka vendnumëruar, por që tani është në lëvizje dhe drejt zgjidhjes së tij, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kosovës prej kohësh”, ka përfunduar ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla.

/GazetaSinjali/