Projekt-kodi i ri Civil që parasheh martesën mes gjinisë së njëjtë, së shpejti pritet të dalë për votim në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, komuniteti LGBTIQ+ i cili është i prekur direkt në këtë çështje nuk shprehen optimist që ky projekt-kod do të kalojë në Kuvend.
Arber Nuhiu, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Sociale (CSGD) për Sinjalin paralajmëroi se në rast se nuk kalon në Kuvend, atëherë do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Qëndrimi jonë si grup i OJQ-ve është shumë i qartë; nëse martesa nuk është e rregulluar në frymë dhe harmoni me Kushtetutën ky projekt kod Civil shkon në Gjykatë Kushtetuese”, tha ai.
Nuhiu u shpreh se është i sigurt që Kushtetuesja do të vendos në favor të grupit të këtij komuniteti.
Ndryshe, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se kësaj radhe shpreson që do të kalojë projekt-kodi, duke theksuar se Qeveria Kurti II angazhohet për të drejtat e njeriut.
“Besoj që shumë shpejt e procedojmë në Kuvendin e Kosovës dhe kësaj radhe do të kalojë në Kuvend, për faktin se është dokument i rëndësishëm. Gjatë kësaj kohe kemi pasur takime me grupin parlamentar, qeveria jonë dhe grupi parlamentar angazhohen për avancimin e të drejtave të njeriut. Duke e pasur parasysh rëndësinë e Kodit Civil, besojmë se do të miratohet në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Haxhiu pas mbledhjes së Qeverisë.