image Lëvizja Vetëvendosje: Rasti i Suzana Zogianit të rikthehet në rigjykim

Drejtësi

Lëvizja Vetëvendosje: Rasti i Suzana Zogianit të rikthehet në rigjykim

news image

Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për media ka shprehur mospajtimin në lidhje me dënimin e shqiptuar ndaj Suzana Zogianit për vrasjen e bashkëshortit të saj.

Sekretariati i Gruas së Barabartë në Vetëvendosje ka denoncuar trajtimin e sipas tyre të pabarabartë dhe me baza gjinore brenda sistemit gjyqësor.

“Me 6 nëntor e kemi dëgjuar rrëfimin e Suzana Zogianit. Rrëfimi i saj ta shton bindjen se jeta e grave vlenë më pak sesa ajo e burrave në peshoren e gjyqësorit të Kosovës. Suzana është dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e bashkëshortit të saj, ndërkaq në gjykim nuk është marrë parasysh se ajo dhe fëmijët e saj janë dhunuar në forma të ndryshme për një periudhë disa vjeçar prej të ndjerit. As një masë lehtësuese nuk është marrë për të”, ka thënë Tinka Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Kurtit, të njëjtat gjykata japin vendime shumë më të lehta kur burrat i vrasin gratë.

“E kemi rastin e N.Berishës në Suharekë i cili e kishte therrur viktimën Zejnepe Bytyqin 22 herë. Ai është dënuar me 12 vite. E kur një grua është dhunuar sistematiksht nga burri dhe ka deklaruar se është vetëmbrojtur është dënuar me 25 vite. Ky sistem po ju jep pushtet burravë qoftë edhe të vrasin”, tha Kurti.

Më e pakta që mund të bëhet është që ky rast të rikthehet në rigjykim, përfundoi ajo.

Suzana Zogiani-Sekiraqa, më 21 shtator 2018, në qytetin Dole të Francës, u ka dhënë fund dhunës dhe keqtrajtimit nga bashkëshorti Artan Sekiraqa, duke e goditur atë 11 herë me sëpatë në qafë. Ajo thotë se vrasjen e ka kryer në gjendje të tronditjes së thellë, pasi që e kishte parë të ndjerin teksa abuzonte me djalin e tyre. Zogiani-Sekiraqa e konsideron të padrejtë dënimin prej 25 vjetësh burgim. Thotë se trupi gjykues nuk i ka marrë parasysh fare dëshminë e saj dhe të djalit për abuzimin që i është bërë./Gazeta Sinjali/