image Letrat personale të Princeshës Diana do të dalin në ankand, çfarë shkruhet në to?

Histori

Letrat personale të Princeshës Diana do të dalin në ankand, çfarë shkruhet në to?

news image

Një seri letrash personale, kryesisht për raste festash dhe ditë speciale që Princesha e ndjerë Diana i ka shkruar për ish-punonjëset e shtëpisë pritet të dalin në ankand këtë muaj për një shifër goxha të lartë, e cila ende nuk është përcaktuar.

Mediat e huaja shkruajnë se letrat e shkruara nga Diana dhe me firmën e saj do të nxirren në shitje nga shtëpia e ankandeve “Julien’s Auctions” në Beverly Hills më 27 qershor.

Gjithashtu bëhet e ditur se koleksioni përmban korrespondencën e Dianës pas martesës në vitin 1981 me Princin e atëhershëm Charles, si dhe 14 kartolina për “Krishtlindje” dhe “Vitin e Ri”, të dërguara gjatë periudhës së viteve 1981 dhe 1995.

Një shënim i shkruar me dorë, me bojë të zezë në letrën mbretërore, mban datën 8 shtator 1982 dhe përshkruan muajin e saj të mjaltit me Charles-in si “një sukses të jashtëzakonshëm dhe kohë cilësore”.

Ndërkohë në një letër tjetër, të shkruar pak pas lindjes së djalit të parë William, Diana e përshkroi veten si një “nënë jashtëzakonisht krenare dhe me fat”.

Në një shënim të shtatorit të vitit 1982, princesha e ndjerë falënderon punonjësen për dhuratën që i bëri djalit të saj më të madh.

“Ne jemi shumë të emocionuar dhe të kënaqur me punonjësit tanë të mrekullueshëm. Faleminderit shumë që e llastove William!”

Letra është e nënshkruar në fund me fjalën: “Shumë kujdes dhe shumë dashuri nga të gjithë ne, Diana.”

Princi Charles dhe Princesha Diana u ndanë në vitin 1992, një vit i përshkruar nga Mbretëresha Elizabeth II si thjesht të vështirë dhe të tmerrshëm për familjen mbretërore. Princeshë Diana ndërroi jetë në moshën 36-vjeçare në një aksident tragjik në Paris në vitin 1997.

/GazetaSinjali/