Sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjanit, për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas aktakuzës së përpiluar në qershor të këtij viti, prokuroria e ngarkon Lenjanin për mosraportim të saktë të pasurisë për vitin raportues në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), ashtu që i njëjti nuk e ka deklaruar biznesin e bashkëshortes së tij e po ashtu nuk ka deklaruar edhe të hyrat vjetore në shumë mbi 5 mijë euro.
Lidhur me këtë aktakuzë ka reaguar Lenjani, i cili tha se bëhet fjalë për një gabim teknik dhe se pafajësinë e tij do ta dëshmojë para gjykatës.
Numri një i Emergjencës tha se ndihet i prekur në dinjitetin njerëzor, profesional dhe familjar.
“…Moslajmërimi është bërë si pasoje e gabimit teknik dhe mbingarkesës në punë dhe të gjitha detyrimet tatimore janë kryera dhe mund të verifikohen përmes ATK-se.Po ju premtojë dhe garantojë se është një gabim teknik por jo i qëllimshëm por nga pakujdesia e ime si dhe nga ngarkesa e punës në Kliniken Emergjente QKUK dhe këtë e dëshmojë para Gjykatësit në Gjykatë dhe do të dëshmohet pafajësia ime. Personalisht, ndjehem i prekur në dinjitet njerëzor, profesional dhe familjar”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tij./Gazeta Sinjali/