Nuk janë të rralla rastet kur punëtorët dërgohen me urgjencë në spital për shkak të lëndimeve që marrin në vendet e tyre të punës. E një rast i tillë ka ndodhur dje në komunën e Vitisë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti kanë bërë me dije se një 57-vjeçar ishte dërguar me urgjencë atje pasi që kishte rënë nga një lartësi në vendin e punës në fshatin Drobesh.
Si pasojë e kësaj ai kishte marrë lëndime në kokë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në QKMF-në e Vitisë, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.
Ndërkohë për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me inspektorin e ndërtimit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.