Nuk janë të rralla rastet kur punëtorët dërgohen me urgjencë në spital për shkak të lëndimeve që marrin në vendet e tyre të punës. E një rast i tillë ka ndodhur dje në Suharekë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë kanë bërë me dije se një 40-vjeçar është dërguar atje me urgjencë pasi kishte marrë lëndime në vendin e tij të punës.
Viktima ishte lënduar teksa po punonte në një mishtore, ku me makinën elektrike ka pësuar lëndime serioze në duar.
Si pasojë e lëndimeve të rënda ai është transferuar në Spitalin Rajonal në Prizren për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Sinjali mëson se gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe i njëjti ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë kompetente dhe me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Lëndim aksidental’.