Dy punëtorë të kompanisë “One Pro”, me seli në Suharekë janë lënduar në vendin e punës, paraditen e sotme, rreth orës 10:00, në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, i cili tha se të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në spitalin e përgjithshëm “Isa Grezda”.
“Datë 07.10.2021, rreth orës 10:00 Stacioni policor – Gjakovë ka pranuar informatë nga emergjenca e spitalit ‘Isa Grezda’ se dy persona të cilët ishin lënduar në vendin e punës kanë kërkuar tretman mjekësor. Viktimat e lartcekura punojnë për firmën ‘One Pro’ me seli ne Suharekë dhe e kontraktuar nga KEDS-i”, tha Xhurkaj.
Zëdhënësi i policisë ka treguar versionin e ngjarjes të cilin punëtorët e kanë dhënë para hetuesve policorë.
“Sipas viktimave, deri tek incidenti kishte ardhur kur punëtorët ishin duke i zbritur pusetat nga kamioni në fshatin Meqë, Gjakovë dhe aty nga pesha e madhe është këput zinxhiri i cili mbante pusetat dhe në atë momente deri sa ishte liruar pesha, kamioni ishte lëkundur dhe një shufër metali që ishte në kamion ka goditur njërin punëtor në dorën e majtë duke i shkaktuar lëndim trupor dhe i njëjti duke i ikur rrezikut ka kërcyer mbi punëtorin tjetër duke e rrezuar në tokë duke i shkaktuar ca gërvishtje trupore.”
Xhurkaj bëri të ditur se me rastin është njoftuar prokurori, si dhe inspektori i punës./Gazeta Sinjali/