image Lekaj: Të largohet TVSH-ja për produktet bazë, i dëmshëm projektligji për çmimin tavan

Biznes

Lekaj: Të largohet TVSH-ja për produktet bazë, i dëmshëm projektligji për çmimin tavan

news image

Sot pritet që në seancën e Kuvendit të Kosovës të kalojë në lexim të dytë me procedura të përshpejtuara projektligji për caktimin e çmimit tavan për produktet bazë.

Megjithatë, ky ligj po cilësohet i “dobët dhe i dëmshëm” për vendin nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Lekaj tha për Gazetën Sinjali se përmes projektligjit cenohet ekonomia e lirë e tregut.

“Ky Projektligj i miratuar dëmton interesat dhe funksionimin e rregullt të të gjitha firmave prodhuese dhe kompanive tregtare në Kosovë. Pra, nenet dhe amandamentet e caktuara dëmtojnë apo cënojnë ekonominë e lirë të tregut, e rrjedhimisht kjo dëmton edhe elementet e Demokracisë në vendin tonë, e kjo nuk duhet të ndodhë”, u shpreh ai.

E AAK-ja ka paraparë një zgjidhje për këtë situatë. Lekaj thotë se heqja e TVSH-së për produktet bazë është zgjidhja e duhur për t’i bërë ballë inflacionit në vend.

“Zgjidhjen e kemi paraqitur më herët, ku si AAK kemi kërkuar largimin e TVSH-së për produktet bazë, për periudhë të caktuar kohore, varësisht nga nevoja. Kjo është zgjidhja më e lehtë dhe më e duhura për mbrojtjen e qytetarëve nga ngritja enorme e të gjitha çmimeve”, përfundon Lekaj.

Projektligjin nga Qeveria e Kosovës, të dëmshëm dhe anti-Kushtetues e quan edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Në një deklaratë për Gazetën Sinjali tha se do të dëmtohen ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, duke i çuar drejt falimentimit.

“Ky Ligj e ka për qëllim me i ulë çmimet, këtë po e dimë mirëpo kur fillon vendosja e marzhës së njëjtë ose e çmimit maksimal, disa operatorë që i kanë kostot e larta nuk kanë me arritë me pasë fitim, bile në disa raste ka mundësi se dikush ka me punu edhe me humbje dhe Qeveria thotë në Nenin 5, parag. 1.6. na ju detyrojmë juve me punu pa fitim ose ju detyrojmë me punu edhe me humbje. Qysh i detyron? Nuk mundet! A e din çka i detyron Qeveria me këtë masë: me shpallë falimentimin”, u shpreh Bajrami për Sinjalin.

Ndryshe, projektligji për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore është caktuar që me procedura të përshpejtuara, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës të shqyrtohet në lexim të dytë.

/GazetaSinjali/