image Lekaj për taksën e 5 eurove: Nëse kam nënshkruar kontratë të tillë, do të kërkoj arrestimin tim - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

107921

Të shëruar

105549

Të vdekur

2265

Lekaj për taksën e 5 eurove: Nëse kam nënshkruar kontratë të tillë, do të kërkoj arrestimin tim

news image

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka folur për taksën rreth 5 euro që është vendosur për automjetet, për të cilën zëvendësministri i kësaj ministrie, Hysen Durmishi, tha se Lekaj e ka përgatitur këtë proces për një kompani të veten.

Lekaj tha se e sfidon ministrin aktual të Infrastrukturës, Liburn Aliun dhe të gjithë të tjerët, sa i përket nënshkrimeve të kontratave të jashtëligjshme.

Ai thotë se asnjëherë nuk e ka shkelur ligjin.

“Kurrë nuk kam nënshkruar kontratë të jashtëligjshme dhe ky nëse si kauboji del e nënshkruan një kontratë të tillë, hallall i koftë…Jemi mësuar me VV-në, për të mbuluar mospunën e tyre, për 120 ditë, do të thotë hedhin akuza të pavërteta të pabaza. Askund nuk e kam shkelur ligjin. I sfidoj, me të gjitha kontratat që i kam nënshkruar se nuk e kam shkelur ligjin”, tha Lekaj në T7.

Ai madje tha se nëse publikohet ndonjë kontratë që e ka nënshkruar për këtë taksë, atëherë vetë ai do të kërkojë arrestimin e tij.

“Nesër në mëngjes le ta qet kontratën që unë kam nënshkruar diçka të tillë, atëherë përnjëmend i ftoj prokurorinë që të vijnë dhe të më arrestojnë”, tha Lekaj.

Nga një shtatori qytetarëve të Kosovës do t’iu shtohet një kosto shtesë financiare me rastin e regjistrimit të automjeteve.

Ata do të detyrohen të paguajnë 4 euro e 90 cent shtesë për tiketën ngjitëse. Kjo pasi Ministria e Infrastrukturës dhe kompania ‘Auto Control Kosova’, ka nënshkruar marrëveshje për ofrimin e tiketës ngjitëse, me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

Sipas marrëveshjes, qytetarët obligohen të pajisen me tiketa ngjitëse pas regjistrimit të automjeteve të tyre./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin