Është prezantuar një replikë e re e Nintendo Game Boy, konzolës ikonike të vitit 1989.
LEGO ka sjellë një kopje të besueshme të kësaj konzole legjendare, e cila është e dedikuar për koleksionistët dhe adhuruesit e teknologjisë retro. Seti i ri përmban gjithsej 421 pjesë dhe ka pothuajse të njëjtën madhësi si konzola origjinale.
Seti, me emërtimin LEGO Icons 72046, ka detaje autentike të pajisjes: butona funksionalë, rrotullues për zë dhe kontrast, si dhe vendin e njohur për video-lojërat. Ai përfshin gjithashtu tre shtesa lentikulare me ekrane retro, përfshirë një që shfaq lojën legjendare Super Mario Land.
Blerësit do të kenë mundësinë të marrin dy kartela “Game Pak”, të cilat mund të futen në konzolë ose të ekspozohen në një bazament.
Çmimi i setit është 59,99 euro, dhe porositë paraprake janë tashmë të hapura. Seti pritet të arrijë në dyqane më 1 tetor 2025.
Një detaj interesant është që LEGO nuk ka përdorur ngjitëse – të gjitha detajet, përfshirë logon, tekstet dhe numrat serialë, janë të shtypura drejtpërdrejt mbi pjesët. Në pjesën e pasme të setit ndodhet një dedikim i fshehtë që tregon datën origjinale të lansimit të Game Boy-it, 21 prill 1989.
Ky set është pjesë e linjës premium të LEGO-s për të rriturit dhe është cilësuar nga shumë adhurues të video lojërave dhe koleksionistë si një produkt “të domosdoshëm” për fansat nostalgjikë të viteve ’80 dhe ’90.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!