Sebastian Vettel zyrtarizoi sot vendimin për t’u larguar nga Ferrari në fund të vitit, pasi nuk gjeti gjuhën e përbashkët për rinovim me skuadrën e italiane, ndërsa mesazhi i parë ka ardhur nga shoku i tij te Ferrari, Charlse Leclerc.
Marrëdhëniet mes të dyve nuk kanë qenë të përsosura gjatë sezonit që lamë pas dhe shpeshherë ka pasur edhe tension e betejë në fushë mes tyre ,si të ishin rivalë, por kjo nuk e ka penguar pilotin monegask që të shprehë respekt ndaj kolegut të tij.
“Ka qenë një nder i madh për mua të jem shoku jot i skuadrës. Ka pasur momente tensioni në pistë dhe të tjera të mira, që nuk kanë përfunduar siç duhej, por respekti nuk ka munguar asnjëherë, edhe pse nuk perceptohej kështu nga jashtë. Nuk kam mësuar kurrë kaq shumë sa gjatë kohës me ty. Shumë faleminderit për të gjitha Seb”, shkroi Leclerc në rrjetet sociale.
Ndërkohë menjëherë kanë nisur të qarkullojnë emrat që mund të zëvendësojnë Vettel në skuadrën e Ferrarit, por në Itali këmbëngulin se i përzgjedhuri është spanjolli Carlos Sainz Junior, djali i kampionit të botës në Rally.
Ky i fundit është pjesë e McLaren, por shumë shpejt pritet të zyrtarizojë marrëveshjen me Ferrarin, ku do të bëjë rolin e pilotit të dytë, pasi italianët kanë vendosur të besojnë maksimalisht ndaj Charles Leclerc.