Vizita e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Washington ka shkaktuar një stuhi protestash në kryeqytetin e SHBA-së.
Disa nga demonstruesit kanë dënuar Izraelin, por të tjerë kanë shprehur mbështetje ndërsa i kanë bërë presion Netanyahut për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për të sjellë në shtëpi pengjet që ende mbahen nga Hamasi, shkruan AP.
Netanyahu mbërriti në Uashington të hënën për një vizitë që përfshin takime me presidentin Joe Biden dhe një fjalim të mërkurën përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit.
Dhjetëra protestues u mblodhën jashtë hotelit të tij të hënën në mbrëmje, dhe të martën pasdite, qindra demonstrues organizuan një protestë.
Organizuar nga Zëri Hebraik për Paqe, protestuesit të veshur me bluza të kuqe që shkruanin “Jo në emrin tonë” dhe duke shpalosur pankarta e duke brohoritur “Le të jetojë Gaza!”.
Pas rreth gjysmë ore duartrokitje dhe brohoritje, oficerët nga Policia e Kapitolit të SHBA-së lëshuan disa paralajmërime, më pas filluan të arrestonin protestuesit.
“Unë jam vajza e të mbijetuarve të Holokaustit dhe e di se si duket një Holokaust,” tha Jane Hirschmann, një vendase nga Saugerties, Nju Jork, e cila shkoi në protestë së bashku me dy vajzat e saj – të dyja të arrestuara. “Kur themi “Kurrë më”, nënkuptojmë kurrë për askënd”.
Demonstruesit e përqendruan zemërimin e tyre në administratën Biden, duke kërkuar që presidenti të ndalojë menjëherë të gjitha dërgesat e armëve në Izrael.
“Ne nuk po përqendrohemi te Netanyahu. Ai është vetëm një simptomë”, tha Hirschmann.
“Por si mundet (Biden) të bëjë thirrje për një armëpushim kur ai u dërgon bomba dhe aeroplanë?”.