Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk ka vendosur as sot për kandidatin e kryeministrit nga radhët e kësaj partie. Në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie gjatë ditës së sotme nuk është diskutuar as për koalicionin e mundshëm me Vetëvendosje.
Megjithatë, LDK ka konfirmuar se nuk do të ketë koalicion me PDK-në dhe se pavarsishtë koalicioneve parazgjedhore, kandati i kryeministrit duhet të jetë nga LDK.
“Në takimin e sotëm të kryesisë së re u pajtuam në disa çështje. E para rikonfirmuam kryesinë e re, që do t’i propozohet Këshillit të Përgjithshëm. U rikonfirmua qëndrimi që s’do të kemi koalicion me PDK-në. Në takimin e radhës të Këshillit të LDK-së do të diskutohet edhe për koalicionin me Vetëvendosjen”, ka thënë Mustafa.
“Jemi partia më e madhe në vend dhe posti i kryeministrit të Kosovës i takon LDK-së”, ka deklaruar ai.
Ndër të tjera Mustafa ka thënë se sot janë hapur diskutimet për atë se kush do të jetë mandatar për postin e kryeministrit dhe se për këtë do të vendoset të hënën.
“Në takimin e radhës të Këshillit të Përgjithshëm do të konfirmohet qëndrimi i partisë, që posti i kryeministrit i takon LDK-së si dhe në takimin e radhës të kryesisë që do të mbahet të hënën në mëngjes, do të diskutohet edhe për mandatarin tonë për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Janë hapur diskutimet, por do të përmbyllet ky diskutim të hënën”, ka thënë Mustafa.