image LDK: Kurti i pafuqishëm për t’i çelur dyert në nivele të larta në Amerikë

Politikë

LDK: Kurti i pafuqishëm për t’i çelur dyert në nivele të larta në Amerikë

news image

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se vizita e kryeministrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpërfaqi pafuqinë e Kurtit për të takuar zyrtarë amerikanë të nivelit të lartë, siç kanë bërë dikur paraardhësit e tij. Madje, nga kjo parti, duke e quajtur “shëtitje 18-ditore” vizitën e kreut të ekzekutivit në Amerikë thonë se si e tillë ishte e papërgatitur mirë dhe pa ndonjë strategji të mirëfilltë.

Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi u shpreh se takimet me zyrtarë të lartë amerikanë kanë qenë të zakonshme për krerët e institucioneve kosovare në të kaluarën.

“Ishte një vizitë e tejzgjatur në shpërputhje me substancën e saj dhe me nivelin e takimeve për një kryetar qeverie në vendin me rëndësi të madhe strategjike për vendin tonë. Kryeministri Kurti përfundoi vizitën gati tre javore në ShBA pa asnjë takim me zyrtarët e lartë të ShBA-ve e pa pritje institucionale e shtetërore. Mungesa e takimeve të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit, dy institucione ku ndërtohet politika e jashtme e ShBA-ve, shpërfaq pafuqinë e kryeministrit Kurti, për t’i hapur dyert në nivelet më të larta të politikbërjes madje në kohë të rëndësisë së madhe shkaku i tronditjeve të vendit e sigurisë evropiane e botërore në kohën e agresionit rus. Takimet e tilla të nivelit të lartë janë krejtësisht të zakonshme për krerët e institucioneve të rajonit siç kanë qenë të zakonshme dhe natyrshme edhe për vetë Kosovën”, deklaroi Mjekiqi.

Mjekiqi, duke e quajtur shëtitje 18 ditore vizitën e Kurtit në ShBA, tha se si e tillë zbeh peshën e vizitave institucionale që ka zhvilluar më herët Kosova.

“Shëtitja 18 ditore e Kurtit në ShBA në kohë të këtyre tronditjeve të sigurisë globale e evropiane dhe në kohë krize ekonomike në vend zbeh peshën e vizitave institucionale që ka pasur Kosova çdoherë. Jo çdo takim në të kaluarën pranë ShBA ka dhënë rezultate por kjo qeveri nuk ka arritur të sigurojë as edhe vetë takimet”, vijoi Mjekiqi.

Kurse, anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti vizitën e kryeministrit Kurti në ShBA e konsideroi si të papërgatitur mirë dhe pa ndonjë strategji të mirëfilltë.

Hamiti tha se nëse qëllimi kryesor i vizitës maratonike të Kurtit në ShBA ka qenë diplomacia ekonomike, kjo nuk është bërë në mënyrën e duhur dhe nuk mund të zëvendësojë domosdoshmërinë e takimeve në nivelin e lartë politik.

“Kjo vizitë ishte e papërgatitur mirë, pa ndonjë agjendë të publikuar më herët siç ndodh zakonisht, nga ajo çka pamë ditëve të kaluara ishin takime ad-hock pa ndonjë strategji të mirëfilltë. Konsiderojmë se takimet e tjera bëhen të rëndësishme vetëm kur atyre u paraprijnë takimet e nivelit politik. Dinamika e zhvillimeve sot nuk lejon që kryeministri i vendit të shkojë pa agjendë të akorduar e përgatitur mirë me administratën mikpritëse… Nëse qëllimi kryesor i vizitës maratonike e shëtitjes së Kurtit në ShBA ka qenë diplomacia ekonomike, kjo nuk është bërë në mënyrën e duhur dhe nuk mund të zëvendësojë domosdoshmërinë e takimeve në nivelin e lartë politikë. E dukshme edhe mediat e kanë parë këtë ka qenë mungesa e përfaqësuesve të biznesit të vendit në këtë vizitë. Kryeministri Kurti tregon se është i vetëmjaftueshëm se nuk ka nevojë për konsultime, as strategji, kur i qaset kompanive të huaja. Ndoshta, planifikimi i mirë i një konference investimesh në Kosovë që do të mund të zhvillohet në ShBA për dy ditë do të mund të ishte një mënyrë më e mirë e përdorimit të resurseve njerëzore dhe qeveritare të Kosovës për promovimin e zhvillimit ekonomik të vendit tonë”, u shpreh Hamiti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila nisi më 6 maj e përfundoi dje, ka takuar një sërë kompanish që operojnë në fushën e teknologjisë së informacionit, senatorë e kongresistë si dhe shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Shtetet e Bashkuara.

/GazetaSinjali/