image LDK: Koalicioni PAN i ka lënë të izoluar qytetarët

Kosovë

LDK: Koalicioni PAN i ka lënë të izoluar qytetarët

news image

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se koalicioni PAN e ka keqqeverisur vendin, ka dëmtuar raportet me partnerët strategjikë të vendit dhe i ka lënë të izoluar qytetarët e Kosovës.

Ky subjekt politik ka theksuar se përballë kësaj situate tepër të rëndë, LDK-ja do të ndërmarrë hapa për të garantuar pozicionin e saj si parti e parë dhe që Qeveria e re të punojë në interes të vendit, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të zhbllokojë procesin e integrimit euro-atlantik, si dhe të kthejë shpresën e qytetarëve të Kosovës.

Ky qëndrim është artikuluar pas mbledhjes konstituive të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, i cili është organi më i lartë i partisë, në mes të dy kuvendeve zgjedhore.

Sipas njoftimit të LDK-së, kjo mbledhje reflektoi unitetin e arritur në Kuvendin IX Zgjedhor të LDK-së, që përçon frymën e fitores së madhe të LDK-së në zgjedhjet e përgjithshme.

“Këshilli i Përgjithshëm diskutoi lidhur me organizmin e të gjitha strukturave të LDK-së, në të gjitha nivelet, për të rritur edhe më tej përkrahjen qytetare për LDK-në, si partia më e madhe në vend.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Këshilli i Përgjithshëm diskutoi edhe lidhur me politikat themelore dhe çështjet që do të përmbajë programi qeverisës i LDK-së, i cili do të jetë edhe program i qeverisë së re të Kosovës. /Sinjali/