image LDK kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Nagavcit: Arsimi nuk mund të udhëhiqet nga një ministre si ajo

Politikë

LDK kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Nagavcit: Arsimi nuk mund të udhëhiqet nga një ministre si ajo

news image

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot konferencë për medie, ku ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, pas vendimit të së premtes së Gjykatës Kushtetuese, me të cilën u rrëzua vendimi i MASHTI-t për të riorganizuar mësimin në Komunën e Kamenicës.

Zyrtari i kësaj partie, Xhafer Tahiri, tha se qytetarët duhet ta mbrojnë Kushtetutën veçanërisht kur ajo shkelet nga pushteti, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas Tahirit, LDK ka dhënë shembullin e respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në secilin rast.

“Qytetarët duhet që ta mbrojnë Kushtetutën, veçanërisht kur Kushtetuta shkelet nga pushteti. Kosova ka ndërtuar një standard demokratik të respektimit të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese më të mirë në rajon. Ne si subjekt e kemi dhënë shembullin e respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në secilin rast”, deklaroi ai.

Ai kritikoi Qeverinë Kurti, duke thënë se për një vit qeverisja ka shkelur dy herë Kushtetutën.

“Megjithatë, Qeveria Kurti në këtë një vit ka arritur që të shkelë disa herë Kushtetutën e Kosovës, të vërtetuar me aktgjykime të plotfuqishme të Gjykatës Kushtetuese. Rasti i parë ishte për Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil të Kosovës, e rasti më i freskët është aktgjykimi i Kushtetueses me të cilën u vërtetua se ministrja e Arsimit , Arbërie Nagavci e ka shkelur Kushtetutën”, ka thënë ai.

Për vendimin e Kushtetueses lidhur me ministren e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, fjalën e mori edhe anëtarja tjetër e partisë, Jehona Lushaku-Sadriu.

Lushaku tha se vendimi i Kushtetueses vërteton se Nagavci dhe MASHT-i e kanë shkelur Kushtetutën, duke u përzier në reformën në arsim në nisur në Kamenicë nga ish-kryetari Qëndron Kastrati. Ajo po ashtu tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese tregon se Qeveria aktuale e ka përdorur arsimin për fitime elektorale.

“Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jo kushtetues vendimin për riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës i nxjerr me 23 prill 2021, që është marrë nga ministra e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përkatësisht nga ministrja Arbërie Nagavci. Ky vendim vërteton se MASHT ka shkelur Kushtetutën duke tejkaluar kompetencat e saj dhe ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës. Ky vendim përveç që është jo kushtetues tregon se si Qeveria aktuale e ka përdorur arsimin për fitime elektorale. Ju kujtojmë që ky vendim është marrë pikërisht në kohë fushate gjatë zgjedhjeve  të kaluara”, shtoi ajo.

Lushaku kritikoi ministren Nagavci që nuk dha dorëheqje, pasi që sipas saj, Arsimi nuk mund të udhëhiqet nga një ministre si ajo.

 “Kjo ministre nuk mund ta udhëheq arsimin ku edukohen gjeneratat e ardhshme. Ajo nuk është shembull i mirë. Arsimi duhet të udhëhiqet nga njerëz me kredibilitet dhe që kanë përgjegjësi. Andaj LDK kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres Nagavci”, tha ajo.

/GazetaSinjali/