Projektligji për vendosjen e çmimeve tavan i miratuar nga Qeveria e Kosovës po konsiderohet anti-Kushtetues nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Andaj, kjo parti sot i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Deputetët e LDK-së Driton Selmanaj e Besian Mustafa kanë dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore i cili më 8 nëntor është miratuar në Kuvend.
Sipas burimeve të Sinjalit, LDK pretendon që janë shkelur 3 nene të këtij ligji.
Nga 15 deputetë sa ka gjithsejt kjo parti, 10 prej tyre kanë nënshkruar pro anulimit të ligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore.
Ndryshe, ky ligj ka kaluar në Kuvend më 8 nëntor me 64 vota pro, asnjë kundër e asnjë asbtenim.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, javën e kaluar kishte thënë për Gazetën Sinjali se ky ligj është anti-Kushtetues përmes të cilit do të dëmtohen ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, duke shtuar se ekonomia e tregut të lirë nuk toleron caktim të çmimeve.