image LDK: E pamoralshme të mos paguhen pagat për mësimdhënësit në kohë krize, Qeveria po varfëron familjet

Politikë

LDK: E pamoralshme të mos paguhen pagat për mësimdhënësit në kohë krize, Qeveria po varfëron familjet

news image

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një komunikate për media, LDK është shprehur se Qeveria nuk ka të drejtë ligjore dhe morale që ta bëjë këtë, teksa kanë thënë se komunat e kanë këtë të drejtë si njësi themelore të vetëqeverisjes në Kosovë.

“Qeveria thirret në Nenin 18 të Ligjit për Greva, duke injoruar në tërësi Nenin 13 i cili flet për mbrojtjen e të punësuarve gjatë grevës. Ky nen shprehimisht thotë se ‘Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale…’. Masat materiale në këtë raport kontraktual kanë të bëjnë pikërisht me pagën dhe kontributet”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së, ka kundërthënie në mes të Nenit 13 dhe 18, “me ç’rast kjo kundërthënie nuk mund të interpretohet në dëm të palës që nuk e ka hartuar ligjin, e që janë grevistët”.

Kjo parti e ka quajtur të pamoralshme nga ana e Qeverisë që të mos paguhen pagat në kohë krize.

“Këto nuk janë para të qeverisë që të bëjë çfarë të dojë, sikurse t’ju hakmerret mësimdhënësve. Në kohën kur inflacioni vetëm ka shkuar në 20%, dhe qytetarët veç janë në krizë, qeveria lë pa paga 23,173 mësimdhënës. Është e papranueshme që sapo mbyllet një krizë, hapet një tjetër”.

LDK-ja theksoi se Qeveria me këto masa po varfëron familjet.

“Me inflacion ka zvogëlim të pagave në mandatin e kësaj qeverie, kurse me hakmarrjen e fundit ka ndërprerje të të hyrave për mbi 23 mijë familje”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

/GazetaSinjali/