Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas takimit të zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, dhe emisarin e BE-së, Peter Sorensen, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Përmes një njoftimi për media, LDK e ka cilësuar këtë pjesëmarrje të Bislimit si të pajustifikueshme, duke theksuar se ai nuk gëzon më mandat legjitim për të përfaqësuar Kosovën në bisedime.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me vëmendje takimin e sotëm trepalësh në Bruksel në mes të zëvendëskryeministrit në detyrë Besnik Bislimi, kryenegociatorit serb Petkoviç dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi z. Peter Sorensen. LDK konsideron se z. Bislimi nuk gëzon asnjë mandat legjitim për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë.”
Sipas LDK-së, mandati i qeverisë në të cilën Bislimi është caktuar si kryenegociator ka përfunduar me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Mandati i ish-qeverisë ku z. Bislimi ka qenë i emëruar kryenegociator nga ish-kryeministri Kurti tanimë ka përfunduar me certifikimin e rezultateve zgjedhore të 9 shkurtit. Andaj, z. Bislimi është vetëm ushtrues detyre, pa legjitimitet demokratik dhe pa miratim parlamentar për të marrë vendime në procesin e dialogut.”
LDK konsideron se çështja e dialogut me Serbinë është interes shtetëror dhe duhet të trajtohet nga institucione të dala nga zgjedhjet.
“Negociatat me Serbinë janë çështje të interesit të lartë shtetëror dhe nuk mund të zhvillohen nga një qeveri në detyrë. Çdo marrëveshje apo angazhim eventual i ndërmarrë në këtë fazë nuk do mund të prodhojnë obligime për Kosovën. Tentimi i z. Bislimi për ta futur Kosovën në obligime, pa patur mandat legjitim e demokratik, është i papranueshëm, antikushtetues dhe joligjor.”
“LDK kërkon që të respektohet rendi kushtetues dhe vullneti i qytetarëve të shprehur në zgjedhje. Dialogu duhet të vazhdojë vetëm me institucione të reja, të dala nga zgjedhjet, me mandat të qartë dhe përfaqësim të plotë.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!