Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në lidhje me seancën e jashtëzakonshme për Rimëkëmbje Ekonomike e cila pritet të mbahet të premten me kërkesë të PDK-së, tha se sipas të gjitha gjasave kjo pritet të kalojë, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Gashi u shpreh se me kërkesë të deputetëve nënshkrues, ky projektligj për buxhet do të trajtohet këtë të premte.
“Me kërkesë të deputetëve nënshkrues projektligji për buxhetin do të trajtohet ditën e premte dhe sipas të gjitha gjasave pritet të kalojë në Kuvend”, tha ai.
Ndërsa, sa i përket postit të presidentit, post ky që sipas ushtruesit të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajt, i takon PDK-së dhe ky subjekt politik nuk do të japë vota për partitë që janë në koalicionin qeverisës, Gashi tha se kjo është çështje e kryetarit të tyre.
“Kjo është çështje ekskluzive negociuese e kryetarit të partisë”, tha tutje Gashi.
Ndryshe, sa i përket postit të presidentit, ende nuk ka ndonjë dakordancë mes subjekteve politike në vend. /Gazeta Sinjali/