Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka deklaruar se Moska do të vazhdojë dhe do të intensifikojë sulmet masive ndaj objektivave në Ukrainë, pas zhvillimeve të fundit në fushën e luftës.
Duke folur për mediat, Lavrov tha se presidenti rus Vladimir Putin ka bërë të ditur synimin për kryerjen e sulmeve të koordinuara në shkallë të gjerë, duke i lidhur ato me, siç u shpreh ai, sulmet e mëparshme që Moska ia atribuon forcave ukrainase.
Sipas tij, objektivat e këtyre sulmeve lidhen drejtpërdrejt me kapacitetin luftarak të ushtrisë ukrainase.
“Presidenti ka deklaruar se tani do të kryejmë sulme masive në mënyrë të rregullt kundër objektivave nga të cilat varet aftësia luftarake e Forcave të Armatosura të Ukrainës. Forcat tona të armatosura po e zbatojnë këtë detyrë dhe do të vazhdojnë ta zbatojnë”, u shpreh Lavrov.
Ai shtoi se sulmi i fundit me dronë në rajonin e Moskës kërkon, sipas tij, një përgjigje të drejtpërdrejtë nga Rusia, duke theksuar se “fjalët nuk janë të mjaftueshme” përballë situatës aktuale.
Deklaratat vijnë pas një prej sulmeve më të mëdha me dronë të regjistruara ndaj Moskës në dy vitet e fundit, ku autoritetet ruse pretendojnë se kanë rrëzuar rreth 190 dronë në orët e para të ditës.
Ngjarjet e fundit sinjalizojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa tensionet mbeten të larta në disa fronte të luftës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!