Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka thënë se vendet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së për shkak të ndërhyrjes në Kosovë.
Diplomati rus, Sergey Lavrov i bëri këto komente në Shkup të enjten, ku po mbahet Samiti i OSBE-së.
Tutje, Lavrov tha se në vitin 2008, Serbisë iu mor Kosova pa asnjë referendum.
“Vendet e NATO-s dhe BE-së shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së. Në vitin 1999, NATO kreu agresion brutal kundër Jugosllavisë, një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe në vitin 2008, duke shkelur rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu mor Kosova pa asnjë referendum”, theksoi Lavrov.
Ai kujtoi se për pak më shumë se një vit Akti Final i Helsinkit do të mbushë 50 vjet.
“Në këtë drejtim, me keqardhje themi se OSBE-ja e mirëpret këtë përvjetor në një gjendje të dhimbshme dhe perspektivat e tij janë të paqarta”, ka thënë ministri rus.