image Latifi takohet me kardiologët e huaj që po i trajtojnë fëmijët në QKUK

Shëndetësi

Latifi takohet me kardiologët e huaj që po i trajtojnë fëmijët në QKUK

news image

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, ka takuar përfaqësuesit e organizatës humanitare “Gilft of Life Internacional”, të cilët janë duke i trajtuar disa fëmijë kosovarë me probleme shëndetësore në zemër në Shërbimin e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Gjatë këtij misioni në Kosovë, kardiologët e fëmijëve nga “Gilft of Life Internacional”, do të kryejnë operacione të fëmijëve, të cilëve trajtimi u është mundësuar të realizohet në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK.

Me këtë rast, ministri Latifi e falënderoi ekipin mjekësor të organizatës humanitare “Gift of Life Internacional”, për kontributin e dhënë për shumë vite rresht, në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve me sëmundje në zemër në Kosovë, e të cilët kanë përfituar nga misioni i tyre.

Latifi tha se një bashkëpunim dhe mbështetje i këtij lloji me profesionistët e tillë shëndetësorë ndërkombëtarë, është shumë i rëndësishëm, sepse Kosova ka mungesë të infrastrukturës, që mundëson kryerjen e intervenimeve te fëmijët që kanë probleme në zemër.

Megjithatë, ai i njoftoi të pranishmit me projektin e tij, të 22 subspecializimeve, ku afër 100 mjekë së shpejti do të dërgohen në vende të ndryshme për t’u avancuar në ato drejtime mjekësore, për të cilat ka nevojë sistemi shëndetësor i Kosovës.

Për këtë projekt, Latifi kërkoi bashkëpunim dhe përkrahje nga stafi i i organizatës humanitare “Gift of Life Internatiobal”, sidomos në fushën e kardiologjisë pediatrike.

Kurse, Rob Raylman, përfaqësues i organizatës “Gift of Life Internatiobal”, tha se është shumë i lumtur, pasi misioni i tyre po shpëton shumë jetë të fëmijëve në Kosovë dhe shprehu përkushtimin e tij dhe të stafit mjekësor në shërbim të fëmijëve.

Ai tha se ky bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi, sipas tij, fëmijët kanë nevojë për trajtime të tilla.

Edhe Dr. Francesco Santoro, pjesë e kësaj organizate humanitare, tha se misioni i tij, është të shpëtoj jetën e fëmijëve kudo në botë. Megjithatë, ai shprehu përkushtimin e tij se edhe në të ardhmen do të jetë i gatshëm për të kontribuuar në trajtimin e fëmijëve kosovarë me probleme shëndetësore në zemër.

Organizata “Gift of Life International” (zgjatimi ndërkombëtar i organizatës amerikane me të njëjtin emër “Dhurata e Jetës”) ka një histori të gjatë prej disa dekadash në shërbim të fëmijëve në ShBA dhe në mbarë botën, që nuk kanë mundësinë të ndërhyrjeve kirurgjikale për problemet në zemër në vende të tyre, sidomos duke u shërbyer fëmijëve që kanë defekte të lindura të zemrës.

/GazetaSinjali/