image "Largohu nga shtëpia" - Gruaja nga Peja e denoncon djalin në Polici për dhunë psikike dhe kërcënime serioze

Siguri

“Largohu nga shtëpia” – Gruaja nga Peja e denoncon djalin në Polici për dhunë psikike dhe kërcënime serioze

news image

Foto ilustruese


Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është denoncuar së fundmi nga një grua në Pejë, e cila ka raportuar në Polici se ka qenë viktimë e dhunës psikike dhe kërcënimeve serioze nga djali i saj.

Sipas burimeve të Sinjalit, viktima është paraqitur në Stacionin Policor të Pejës, ku ka deklaruar se djali i saj i ka dërguar mesazhe kërcënuese, duke i kërkuar që të largohet nga shtëpia dhe duke përdorur gjuhë fyese ndaj saj.

Viktima ka treguar se kjo nuk është hera e parë që ai ushtron dhunë psikike dhe fizike ndaj saj.

Pavarësisht shqetësimeve të saj, ajo nuk ka pranuar trajtim mjekësor dhe, pas intervistimit në prani të mbrojtësit nga Qendra për Punë Sociale, është kthyer me dëshirën e saj në shtëpi.

Policia ka kërkuar të dyshuarin, por nuk ka arritur ta gjejë.

Ndërkaq, gjatë një kontakti telefonik, ai ka deklaruar se është rrugës për në Serbi.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Sinjali do të raportojë për zhvillimet e mëtejshme të këtij rasti.

/GazetaSinjali/