Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka reaguar për largimin e deputetes, Doarsa Kica Xhelili, nga Lista Guxo, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Peci është shfaqur krah presidentes së vendit, Vjosa Osmani, e cila ishte themeluese e partisë, dhe kryetares aktuale, Donika Gërvalla Schwarz, e cila mban pozitën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Peci përmes këtij postimi ka thumbuar Kica Xhelilin dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke e akuzuar për kontrabandim të vullnetit të qytetarëve. Ndërkaq ka konsideruar se LDK janë pjesë e erës së përfunduar në politikë.
“Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”, ka shkruar Peci.
Ndryshe, burime të Sinjalit kanë bërë të ditur se pas pak ditësh deputetja Doarsa Kica Xhelili, pritet të zyrtarizojë kalimin e saj në LDK.