image Lajmërohet nga arratia Ardit Krasniqi i kërkuar për drogë: Jom më i shpejt se Policia, s'munden me më arrestu

Siguri

Lajmërohet nga arratia Ardit Krasniqi i kërkuar për drogë: Jom më i shpejt se Policia, s’munden me më arrestu

news image

Pas raportimit të Gazetës Sinjali për aksionin policor të Antidrogës të zhvilluar të hënën në Prizren, ku njëri prej vëllezërve Krasniqi të dyshuar për drogë përfundoi në pranga të Policisë e tjetri akoma po kërkohet, është lajmëruar ky i fundit. Duke u paraqitur si Ardit Krasniqi, i njëjti tentoi ta paraqes veten si të fuqishëm dhe të pakapshëm për organet e rendit.

I kërkuar me dy urdhër arreste, Krasniqi fillimisht ka kërkuar që të largohet artikulli i Sinjalit, e më pas lëshoi deklarata gjoja sa i ‘fortë’ është.

Krasniqi, i cili është dënuar për shitblerje të drogës dhe po e shijon lirinë nga  arratia, tha se nuk do të dorëzohet në Polici, por as nuk mund ta kapin me arsyetimin se është ‘një hap para tyre’.

“Mu nuk munen me m’arrestu, a bën me fshi postimin? Unë po lypi me ma fshi postimin. Mu s’munen me m’arrestu se jom një hap para tyne, gjithmonë. Na zatetemi najherë, na vjen dita mu zatet rrugës.

Policia nuk mun um kap n’dorë hiç. Unë jom ma i shpejt se ata. Nuk dorëzohna unë, me u dorëzu, shkoj dorëzohna në Hajvali. Nuk kom nevojë me u dorëzu. Për çka paguhen ata, le t’më kapin.” – tha personi që u paraqit si Ardit Krasniqi.

Gjatë bisedës, ai e pranoi që bashkë me vëllain e tij binjak, Artanin, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, janë përdorues të substancave narkotike.

“Na s’ia jepim kërkujt drogën, na jemi përdorues të drogës. Milioner jom unë. Familja jonë punojna me sene t’mira, unë me vëllain jena veç përdorues.”

Ndryshe, në banesën e tyre në rrugën “Adem Jashari”, Policia ka kryer aksionin që rezultoi me gjetjen dhe sekuestrimin e një sasie të marihuanës, qeseve për paketimin e drogës dhe prova të tjera.

I dyshuari Artan Krasniqi ka deklaruar para hetuesve policorë se droga që u gjet i përket atij dhe jo vëllait të tij, që ndodhet akoma në arrati. 

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e tjera.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/