Pas lajmeve se janë sulmuar me armë zjarri nga serbët në Zubin Potok, është lajmëruar grupi i bjeshkatarëve “Kosovo Mountain Club”, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në Facebook, nga “Kosovo Mountain Club” kanë thënë se i gjithë grupi është mirë dhe të sigurt.
Sipas tyre, ecja ka qenë e paralajmëruar në institucionet përkatëse.
“Te gjithë jemi mirë dhe të sigurt pas incidentit qe ndodhi. Tani po vazhdojmë ecjen ne Shalë të Bajgores. Ecja sot ka qenë e lajmëruar ne institucionin përkates. Ju faleminderit që treguat shqetësim dhe kujdes”, thuhet në postimin e tyre.
Ndërkohë nga Policia e Rajonit të Veriut e kanë mohuar se të shtënat kanë qenë në drejtim të bjeshkatarëve.
Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, i tha Gazetës Sinjali se dikush ka mundur t’i frikësojë bjeshkatarët, porse të shtënat nuk kanë qenë në drejtim të tyre.
“Kanë qenë rreth 40 bjeshkatarë kah zona e Zubin Potokut, në zonat e banuara me popullat serbe, sipas zyrateve policor të shtënat nuk kanë qenë në drejtim të tyre. Dikush i ka parë ndoshta me qëllim të frikësimit, por nuk kanë qenë në drejtim të tyre”, ka thënë Hoti./Gazeta Sinjali/