Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj komunikatës së Partisë Demokratike e Kosovës, ku bëhet thirrje ndaj qytetarëve që të mos e përcjellin një gazetë dhe televizion të caktuar.
Për AGK-në, komunikata e djeshme e PDK-së është sulm i papranueshëm.
“Sulmi i Partisë Demokratike të Kosovës ndaj Gazetës Express, për AGK është i papranueshëm. Thirrja publike “Mos u besoni lajmeve të rreme të Gazetës Express”, është ndërhyrje flagrante ndaj një mediumi”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Gjuha e përdorur në komunikatën e PDK-së, sipas AGK-së është presion i drejtpërdrejtë në politikat redaktoriale si dhe presion publik.
“AGK përveç që shpreh shqetësimin e saj për këtë gjuhë që përdoret ndaj medieve nga një subjekt politik i cili për vite me radhë është pjesë e pushtetit, vlerëson se ky është presion i drejtpërdrejtë në politikat redaktoriale dhe formë direkte e presionit publik”, thuhet tutje në reagimin e AGK-së.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka ftuar PDK-në që të distancohet nga kjo gjuhë e përdorur në këtë rast, e cila sipas tyre cenon integritetin profesional të gazetarëve. /Sinjali