image Lajçaku kërkon nga Kosova dhe Serbia të punojnë me zell për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ku përfshihet Asociacioni

Politikë

Lajçaku kërkon nga Kosova dhe Serbia të punojnë me zell për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ku përfshihet Asociacioni

news image

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën pasdite, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të punojnë me zell drejt zbatimit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, në prag të takimit të radhës të kryenegociatorëve.

Javën e ardhshme, përkatësisht të enjten më 24 tetor, do të zhvillohet cikli i ri i takimeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të ekipeve negociatore të të dyja palëve.

“Jemi duke u përgatitur për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve më 24 tetor. Koha për të filluar zbatimin me zell”, ka shkruar diplomati sllovak i BE-së, teksa ka njoftuar për takimin që ka pasur javën e kaluar me zëvendëskryeministrin e Kosovës dhe shefin e ekipit negociator të palës kosovare, Besnik Bislimi, në Vjenë të Austrisë.

Ndryshe, takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, qoftë në nivel të lartë apo në nivel kryenegociatorësh, nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Kosova dhe Serbia fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve ekzistuese apo për ngërçin në procesin e dialogut.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, akoma nuk është zbatuar.

/GazetaSinjali/