‘Pesëshja e madhe’ ka përfunduar vizitën e tyre zyrtare në Prishtinë e Beograd, ku takuan kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas takimit, ka reaguar i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në platformën X [ish-Twitter], Lajçak ka thënë se gjatë diskutimeve me Kurtin e Vuçiqin, kanë theksuar se sulmi i Banjskës duhet të hetohet plotësisht.
“Udhëtuam me Plotner, Escobar, Bone dhe Cattaneo për diskutime të rëndësishme dhe thelbësore me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë. Ne theksuam se 24/9 [sulmi i Banjskës] duhet të hetohet plotësisht dhe se de-përshkallëzimi dhe normalizimi janë urgjentisht të nevojshëm. Ne presim që të dy të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre të Dialogut”, shkroi Lajçak.
Ndryshe, në Kosovë dhe Serbi gjatë ditës së sotme qëndroi, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, si dhe zëvendës këshilltarin diplomatik të kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Alessandro Cattaneo.