Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha të enjten se ka biseduar përmes takimeve të veçanta me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe Drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq për përgatitjet e takimit të radhës në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Lajçakut, diskutimet kanë qenë thelbësore për takimin mes delegacioneve që pritet të zhvillohet në fillim të shtatorit.
Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian zhvillojnë takime në dy nivele, atë të grupeve negociatore të cilat i udhëheqin, Bislimi dhe Petkoviq, dhe takimet në nivel të udhëheqësve të vendeve, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Bisedimet kanë të bëjnë me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhte problemet e hapura mes dy vendeve.
Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit është mbajtur në muajin korrik, por nuk ishte arritur asnjë përparim.
Kryeministri i Kosovës, Kurti, pati thënë pas takimit se ai ka propozuar një deklaratë të paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por, sipas tij, ajo u refuzua “ende pa u lexuar”.
“Për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, kishte thënë Kurti.
Vuçiq, në anën tjetër, tha se pala kosovare gjithmonë kushtëzon me “kritere të reja politike”.
Për në muajin shtator ishte paralajmëruar se do të mbahet edhe takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011.
Beogradi zyrtar insiston që Prishtina të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Ndërkaq, Prishtina zyrtare ka theksuar se një numër i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, nuk po zbatohen si duhet nga Beogradi.
Kosova, në këtë drejtim, veçmas ka përmendur marrëveshjen për kontrollin e kufirit, atë për njohjen e diplomave, për certifikatat e mallrave, lirinë e lëvizjes si dhe marrëveshjen për fusnotën, raporton REL.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.