image Lajçak: Nuk ka asnjë pengesë që marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihet brenda muajsh

Politikë

Lajçak: Nuk ka asnjë pengesë që marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihet brenda muajsh

news image

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha në Prishtinë se ai pret që marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihet gjatë qeverisjes së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas tij, nuk ka asnjë pengesë që një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet edhe brenda muajsh. Këto komente Lajçak i bëri pas takimeve që zhvilloi me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ushtruesen e detyrës së presidentes Vjosa Osmani.

“E kam thënë edhe në të kaluarën dhe e po e përsëris se ky proces do të mund të përmbyllet brenda disa muajve, nuk kërkon vite që të arrihet marrëveshja. Por, ne nuk jemi ata që po nxitojmë ose ata që e ngadalësojnë procesin. Janë Kosova dhe Serbia që vendosin se sa shpejt duan të procedojnë. Nëse duan të takohen në baza mujore, ne jemi aty. Nëse ata duan të takohen në baza javore, ne jemi këtu për të ndërmjetësuar dhe ne nuk na duhen edhe dhjetë vjet të tjera, as pesë vjet të tjera, as tre vjet, nëse ka përkushtim dhe vullnet të palëve”, u shpreh Lajçak, shkruan DW.

Lajçak ka thënë se BE-ja pret që klasa politike në Kosovë të jetë unike dhe ta kuptojë rëndësinë e dialogut me Serbinë teksa ka shtuar se procesi i dialogut është në koordinim të plotë edhe me Shtetet e Bashkuara.

“Jam i lumtur të them se pas ardhjes së administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, ky bashkëpunim nuk mund të jetë më i ngushtë sesa është. Ne po punojmë ngushtë në baza ditore, me partnerët tanë amerikanë dhe miqtë dhe ne e ndajmë qëllimin e njëjtë që është e ardhmja evropiane për Kosovën dhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Miroslav Lajçak. /Gazeta Sinjali/