image Lajçak me paralajmërim: Po përgatitemi për përparim të shpejtë në dialog, menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë

Politikë

Lajçak me paralajmërim: Po përgatitemi për përparim të shpejtë në dialog, menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë

news image

Emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak ka thënë se Bashkimi Evropian po përgatitet për progres të shpejtë në bisedimet mes Prishtinës e Beogradit, menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë, të cilat do të mbahen në shkurt të vitit 2025.

Ani se vetë atij mandati i përfundon në janar, Lajçak ka thënë se nuk pritet përparim para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Megjithatë, ai ka paralajmëruar progres, menjëherë pas zgjedhjeve.

“Dua të jem realist, Kosova po shkon në zgjedhje në shkurt. BE-ja është në një proces tranzicioni. Kështu, mua mu kërkua që ta zgjas mandatin pikërisht që të garantoj vazhdimin gjatë këtij procesi. Procesi po vazhdon, kemi pasur takime në nivel kryenegociatorësh. Por eksperienca jonë politike dhe personale tregon se nuk mund të presësh përparim para zgjedhjeve, por po përgatitemi për përparim të shpejtë menjëherë pas zgjedhjeve.” – u shpreh diplomati sllovak gjatë forumit “2BS”.

“S’pamë normalizim, pamë Qeverinë e Kosovës…”

Marrëdhëniet Kosovë-Serbi, sipas emisarit evropian, janë sfida më e madhe strategjike në rajon. Gjatë kësaj paraqitje, ai ka thënë se 18 muaj pas arritjes së Marrëveshjes në rrugën drejt normalizim, nuk është parë implementim.

“Vazhdoj të besoj që marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë përbën sfidën më të madhe strategjike në rajon. Kanë ndikim në gjithçka, duke nisur me bashkëpunimin rajonal dhe duke përfunduar me integrimin evropian. Vitin e kaluar arritëm diçka shumë të rëndësishme, Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit, që jep një trajktore shumë të qartë përpara normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Fatkeqësisht, sot 18 muaj më vonë kemi parë shumë pak implementim të marrëveshjes, që është zhgënjyese”, tha Lajçak.

Në vend të kësaj, i dërguari i BE-së ka thënë se janë parë përpjekjet e Qeverisë për sundim të ligjit në veri, për të cilat, u shpreh se janë bërë në një mënyrë që ka nxitur kundërshtime nga komuniteti ndërkombëtar.

“Çfarë kemi parë në vend të kësaj janë përpjekjet e Qeverisë për të arritur sundimin e ligjin në veri të Kosovës. Të gjithë përkrahin sundimin e ligjit. Por për fat të keq, kjo është bërë në një mënyrë që ka nxitur kundërshtime nga komuniteti ndërkombëtar dhe frustrim te komuniteti lokal. Prandaj, kemi më pak normalizim, dhe më shumë tensione”, tha ai.

/GazetaSinjali/