Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera në Ballkan, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se nuk sheh alternativë më të mirë për Ballkanin Perëndimor sesa anëtarësimi në Bashkimin Evropian, duke treguar katër sfidat kryesore të rajonit.
Ai ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë kanë ndikim edhe në bashkëpunimin rajonal, raporton vijesti.me.
“Sfida e rëndësisë më të madhe strategjike është normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse nuk ka të bëjë vetëm me dy vende duke marrë parasysh se shqiptarët dhe serbët jetojnë në çdo vend të Ballkanit dhe se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ndikojnë në bashkëpunimin rajonal, ndaj zgjidhja e kësaj çështjeje është e një rëndësie strategjike më të madhe”, tha ai.
Teksa foli për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut tha se këto dy vende urgjentisht duhet të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Lajçak tha se problem serioz është edhe kriza në Bosnje e Hercegovinë. Ai ndër të tjera deklaroi se sfida themelore është drejtimi që po merr gadishulli ballkanik.
“Sfida që mendoj se është më themelore është pyetja se si do të jetë Ballkani. A do të ketë një Ballkan që ndan vlerat evropiane, që promovon demokracinë dhe sundimin e ligjit, që lufton korrupsionin dhe që ka media të pavarura dhe shoqëri civile? Ose do të kemi shoqëri në të cilat nuk ka asgjë të tillë pa pasur një lloj qeverie autoritative, pa respektuar vlerat evropiane”, përfundoi Lajçak. /GazetaSinjali/