Emisari i posaçshëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për “non-paper”-in e parë të publikuar në të cilin përshkruheshin ndryshime të kufijve në disa shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.
Ai në një bashkëbisedim të organizuar nga “Itaian Institute for International and Political Studie” me temën The Geopolitical Gambles in the Balkans, ka thënë se ideja e rivizatimit të kufijve nuk është diçka e re dhe se ka qenë e pranishme për vite të tëra.
Megjithatë ai thotë se është kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve, derisa shton se “non-paper” që parashikon ndryshime të kufijve është e rrezikshme dhe ide që provokon luftë.
“Ideja për ridizajnim të kufijve, s’është e re. Ka qenë për shumë vjet. Por disi u kthye tash. Thellësisht s’pajtohem me të. E shoh si ekstremisht të rrezikshme dhe kërcënim për luftën. Me implementimin e kësaj ideje do të përmbushnim idenë e Millosheviqit dhe Tuxhmanit. Këtë nuk duam ta bëjmë. Kam qenë i qartë. Është kundërshtuar”, ka thënë ai teksa ka shtuar se këto ide po shfaqen për shkak të paqartësisë në rajon e motivin e zbehur për rrugën drejt Evropës.
Për deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se dialogu s’është top-prioritet për të, Lajçaku ka thënë se “në politikë s’mund të zgjedhësh prioritetet, por ato të zgjedhin ty”.
Sipas tij, dialogu është prioritet për të dy qeveritë dhe se ideja për punësim e drejtësi në Kosovë lidhen me integrimin evropian përmes dialogut.
Çështjen e paralajmëruar të Kurtit për masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, Lajçaku e ka parë më shumë si “çështje elektorale”.
Lajçaku s’ka pranuar të flasë për afate kohore kur mund të përfundojë dialogu mes dy shteteve, edhe pse në të kaluarën kishte thënë se kjo është çështje muajsh./Gazeta Sinjali/