image Lajçak ia kushton Kosovës vetëm dy sekonda në Forumin Diplomatik në Antalia

Politikë

Lajçak ia kushton Kosovës vetëm dy sekonda në Forumin Diplomatik në Antalia

news image

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak gjatë Forumit Diplomatik në Antalia, përmendi Kosovën vetëm dy sekonda, derisa foli se ku qëndrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor në raport me unionin.

Ky megjithatë Kosovën, bashkë me pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e sheh medoemos si pjesë të Evropës.

“Ne nuk u larguam. Amerika u tërhoq dhe u kthye mbrapa, por ne gjithnjë kemi qenë këtu dhe çfarë dua të them është se nuk ka alternativë tjetër për BE-në veç ta ftojë rajonin t’i bashkohet BE-së dhe nuk shoh alternativë më të mirë as për ata, përveçse të bëhen pjesë e familjes evropiane”.

Lajçak e pranon se Evropa e ka humbur kredibilitetin e saj, por thotë se po punon për zgjidhje.

“Viti 2020 ka qenë viti i vetëm, për sa e mbaj mend të paktën, që asnjë nga gjashtë shtetet nuk ka arritur asnjë progres. Ne biseduam muajin që shkoi me Ministrin e Jashtëm të BE-së dhe gjithsecili në union po thotë se ne nuk mund të vazhdojmë më kështu, nuk po veprojmë si duhet dhe po e humbim kredibilitetin dhe po e venitim entuziazmin pro evropian në rajon dhe duhet ta ndryshojmë mënyrën, por po përpiqemi ta gjejmë se si”, tha i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi e çështje tjera për Ballkanin.

Në këtë panel të Forumit Diplomatik të Antalias mori pjesë edhe ish-kryeministri rumun, Viktor Ponta, i cili tha fjalë të rënda për Bashkimin Evropian.

“Është turp, është gabim i madh, më lini të jap shembuj shumë konkret. Unë isha shumë i lumtur kur vizitova Beogradin dhe Tiranën. Jam një nga të paktët persona në botë që e ka shok edhe Vuçiqin edhe Ramën dhe mendoj se ata janë liderë të shkëlqyeshëm në Ballkan, dhe unë u thashë që duhet të anëtarësoheni, por Evropa gjithnjë po i ndryshon kushtet”, tha ai ndër të tjera.

/GazetaSinjali/