image Pasi kryeministri Kurti e pranoi propozimin e BE-së, Lajçak paralajmëron takime të nivelit të lartë

Politikë

Pasi kryeministri Kurti e pranoi propozimin e BE-së, Lajçak paralajmëron takime të nivelit të lartë

news image

Emisari i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, u shpreh i lumtur që Kosova ka pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve.

Përmes një postimi në Twitter, Lajçak tha se do të vazhdohet tutje të diskutohet në takimin e nivelit të lartë, duke njoftuar se ka pasur takim edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë ditës së hënë, emisari i BE-së ka pasur takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi.

Kurti tha se e pranon propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “duke e konsideruar atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.

Lajçak tha pas takimit me Kurtin se kanë diskutuar “gjithçka” që lidhet me dialogun, por se diskutimi ka qenë i përqendruar te propozimi evropian. Ai përsëriti qëndrimin se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen.

Në takimin me emisarin evropian Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Takimi, i cilësuar drekë pune, u mbajt në një restorant në kryeqytetin e Kosovës.

Pas qëndrimit në Prishtinë, Lajçak ka udhëtuar për në Beograd.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Ky propozim, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

/GazetaSinjali/