Banorët në lagjen Kristali në Pejë që më shumë se 12 orë kanë mbetur pa ujë. Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidrodrini fillimisht njoftoi se uji është ndërprerë për zhvendosjen e një gypi, punime këto që do të zgjasnin deri sot pasdite. Një gjë e tillë nuk ndodhi dhe për pasojë janë revoltuar banorët, të cilët kanë folur për Sinjalin.
Sipas tyre, përveç që kanë mbetur pa ujë, nga kompania kanë dhënë përgjigje të ndryshme, kur kanë kërkuar llogari lidhur me furnizimin me ujë.
Njëri prej tyre tha për Sinjalin se KRU Hidrodrini ia ka hedhur fajin një kompanie private, që gjoja se ishte kontraktuar për intervenim në gypa.
“Prej orës 08:30, nuk kemi ujë. Nga Hidrodrini na kanë thënë që në 16:00 vjen. Fillimisht na kanë thënë që ka prishje, ndërsa tash po na thonë se nuk është përgjegjësi e jona, por e një kompanie private që ka intervenu në gypat e ujësjellësit. Më shumë se 12 orë jemi pa ujë…kjo është e tmerrshme”.
Njoftimi i fundit i kompanisë ka qenë në orën 10:00 të mëngjesit kur kanë njoftuar se sot fillon zhvendosja e një gypi dhe për pasojë nuk do të ketë ujë deri në orën 16:00.
“Gjatë ditës së sotme fillon zhvendosja e Gypit Distributiv furnizues me lokacion në B.T. ‘Kristali’, punime këto në kuadër të projektit për rehabilitimin e sistemit furnizues.
Për shkak të këtyre punimeve, deri në ora 16:00, ndërpritet furnizimi me ujë për B.T. ‘Kristali’, përfshirë rrugët ‘Xhorxh Fred Ëilliams’, ‘Vëllëzërit Kelmendi’, ‘Zhuj Selmani’, Beqir Kastrati’ dhe ‘Qerim Muriqi’.”
Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kompania, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.