Një vjedhje është raportuar pasditen e së premtes në një restorant në Zveçan, ku një punëtore mbeti pa çantën e saj, në të cilën kishte dokumente personale dhe një shumë të konsiderueshme parash, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktimë është L. V. rreth 58-vjeçare e cila punon në kuzhinën e restorantit “Radniqki Dom”.
Sipas informacioneve, vjedhja dyshohet të ketë ndodhur në intervalin kohor 16:00 deri në 18:00, në rrugën “Karadjordjeva” në Zveçan. Ankuesja ka deklaruar se çantën e kishte lënë mbi një tavolinë pranë kuzhinës, ndërsa kur është kthyer, kishte vërejtur se ajo ishte zhdukur.
Në çantë, sipas denoncimit, ndodheshin dokumentet personale dhe 950 euro para të gatshme.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje”, ndërsa hetimet për identifikimin e autorit janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!